English Shqip
Lidhu me grupin Passion në Facebook Lidhu me grupin Passion në YouTuBe RSS FEED
Këshilla Për Fytyrën

Pak minuta dhe shumë pak përkushtim janë të mjaftueshme për të
arritur një kujdes të shtuar dhe natyral, për të ruajtur një fytyrë të
bukur dhe të freskët. Edhe kur nuk keni kohë, nxitoni në punët tuaja
të përditshme, mos harroni t’i kushtoni kujdesin e duhur fytyrës
dhe dukjes suaj.


Grimi
Bëjeni grimin në përputhje me ngjyrën tuaj të lëkurës së fytyrës suaj.
Ideja thelbësore e grimit natyror është përshtatja me karakteristikat e fytyrës suaj. Shumë njerëz mendojnë, se grimi natyror lidhet vetëm me dy-tre nuanca të lehta të fytyrës. Kjo është qasja e duhur për fytyrën tuaj, sepse të dhënat gjenetike nuk janë gjithmonë thelbi i bukurisë.

Lëkurat e zbehta duken mjaft mirë me hije të kuqe, tonet në ngjyrë ulliri bëhen të gjalla me nuanca të kafes, ndërsa zeshkanet bëhen natyrore me portokallinë dhe kafen. Për një dukje elegante dhe dinamike vendosni një ngjyrë kremi, transparente tek sytë, buzët dhe mollëzat. Nëse keni ndonjë nevojë më specifike lidhur me grimin më të përshtatshëm për ju, stafi i Passion do të jetë gjithmonë i privilegjuar t’ju asistojë për një grim me shije.

Mbrëmje me dritë hëne


Për t'u dukur natyralë, por jo të ngarkuar me grimin tuaj, grimi duhet të jetë intensiv. Kjo mund të bëhet në fare pak kohë. Vendosni pak ton në mollëza, pak më shumë ngjyrë përreth syve dhe një buzëkuq të lëngshëm në buzë. Bëni kujdes në theksimin e qerpikëve, vetullave dhe linjës së syrit. Në fund, një ngjyrë e fortë e buzëve kompleton shkëlqimin tuaj të mbrëmjes.

Lëkura e zbehtë

Gjatë ditës.

E kuqja është ngjyra themelore, e cila rekomandohet. Sidoqoftë, e kuqja duhet të jetë e lehtë dhe aspak e ndezur. Zbutja e tonit të kuq në fytyrë mund të bëhet edhe duke e shpërndarë me gishta, pasi e keni aplikuar atë në fytyrë.

Gjatë natës

Sytë janë në rolin kryesor mbrëmjeve, prandaj përveç vijës së sipërme që duhet theksuar me rimel ose me laps, duhet theksuar dhe vija e brendshme. Dhe pastaj një përdorim tjetër i rimelit, duke theksuar buzët me një buzëkuq më të ndezur.

Lëkura ngjyrë ulliri

Gjatë ditës.

Kjo lloj lëkure rrezikon të duket pak e fryrë, por nëse përzihet me ngjyra të buta të kafes që hijëzon sytë dhe mollëzat, fytyra juaj do të duket e freskët e vezulluese. Gjallërojini sytë me pak rozë të lehtë, theksojini qerpikët dhe vetullat. Po të njëjtat tone përdorni edhe për buzët, por mos harroni t'i ndriçoni ato.

Gjatë natës

Vetulla të theksuara, qerpikë të trashë të zinj dhe mollëza të ndriçuara, është e gjithë përkujdesja shtesë, që ju duhet për dukjen tuaj në mbrëmje. Dy deri në tre herë lyeni me të kuqin natyror buzët dhe jeni gati për të dalë.

Lëkurë të zeshkët

Lëkura e zeshkët zbukurohet nga një numër nuancash midis ngjyrave të kafes dhe portokallisë. Përhapni një ngjyrë të bronxtë të lehtë përreth syve të lyer mirë me rimel e penel. Përdorni duart për pudrën e portokalltë mbi mollëza në pjesën më të ngritur të tyre dhe e gjitha përfundon me një të buzëkuq në ngjyrë kafe me shkëlqim.

Gjatë natës

Jepini tone të zbehta mollëzave dhe pastaj mund t’i rregulloni më lehtë me sytë dhe buzët. Mund të përdorni një ton për sytë ngjyrë portokalli, një laps të zi që të theksojë formën e syrit. Rimeli përdoret dy herë, njëherë në fillim e njëherë në fund të grimit. Përfundoni përsëri me të kuq me shkëlqim tek buzët.

Maskat në vjeshtë

Janë shumë të rëndësishme, meqenëse lëkura nuk është më nën ndikimin e rrezeve të diellit. Pikërisht për këtë arsye ajo ka nevojë të rigjenerohet. Mjafton të merrni një frut, si për shembull një kokërr portokalli apo limoni, pasi ta prisni përgjysëm, njërën pjesë kalojeni nëpër fytyrë me lëvizje rrethore për të ndihmuar fytyrën në thithjen e ekstrakteve të frutit. Evitoni kontaktin me sytë, lëreni të reagojë për 10 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Efekti i acidit citrik dhe antioksiduesit bëjnë një punë të mirë në fytyrën tuaj për të cilën ju do të çuditeni dhe vetë.

Kujdesi ndaj vetullave
Shfrytëzimi i lapsit

Nëse vendosni që rregullimin e vetullave ta bëni në shtëpi, atëherë gjatësinë e vetullave përcaktojeni me anë të një lapsi. Së pari, vendoseni lapsin përbri hundës dhe drejtojeni atë me këndin e brendshëm të syrit, për të parë se ku duhet të fillojë vetulla. Nëse njërin skaj të lapsit e vendosni përbri flegrës së hundës, skajin tjetër do ta vendosni tek këndi i jashtëm i bebes së syrit, në këndin më të lartë të vetullës. Se ku duhet të përfundojnë vetullat, më së miri e caktoni nëse njërin skaj të lapsit e vendosni nën flegër të hundës, ndërsa skajin tjetër në këndin e jashtëm të syrit.

Theksojini vetullat me grim

Nëse keni vetulla me ngjyrë të çelët, apo vetulla të rralla, mund t’i theksoni me laps apo maskarë. Në zgjedhjen e nuancës, bazohuni në ngjyrën e flokëve tuaja. Falë krehësve të veçantë dhe brushave adekuate, mund t’i mbani vetullat gjithmonë nën kontroll.

Kujdesi i veçantë

Vetullat e parregulluara japin përshtypjen, se personi nuk kujdeset për dukjen e tij. Për këtë arsye duhet që vetullave tuaja t’u kushtoni kujdesin e njëjtë, që u kushtoni edhe flokëve. Kur të bëni grim në fytyrë, largojeni pudrën nga vetullat, krihini ato dhe vendoseni kremin, i cili do t’i fiksojë ato, duke i theksuar më shumë. Përveç kremrave, për theksimin e vetullave mund të përdorni edhe vaj ricini, i cili i ushqen vetullat dhe është më mirë të vendoset para rënies në gjumë.

Regjistrohu

Për t'u informuar për të rejat
e fundit nga Passion